Secondary Adv

Banka e Shqipërisë bleu 528 mln euro deri në 4 gusht për të mbajtur kursin e këmbimit

Banka e Shqipërisë po vijon të ndërhyjë fort në tregun e brendshëm valutor, duke tërhequr shuma të mëdha eurosh, përmes ankandeve të njoftuara, por edhe atyre jashtë rradhe.

 

Ekofin.al mëson se deri në 4 gusht 2025, përmes ankandeve të njoftuara dhe atyre jashtë rradhe, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu 528 milionë euro. Nga këto, vetëm 173 milionë euro janë blerë përmes ankandeve të parashikuara, ndërsa mbi dyfishi i kësaj shume, rreth 355 milionë euro është tërhequr nga tregu përmes ankandeve jashtë rradhe.

 

Vitin e kaluar, Banka e Shqipëri ndërmori operacione relativisht agresive të tërheqjes së euros nga tregu për të frenuar zhvlerësimin e monedhës evropiane. Sipas të dhënave zyrtare, përgjatë vitit të kaluar, janë blerë 933 milionë euro nga BSH përmes ankandeve të njoftuara dhe atyre jashtë rradhe.     Ndërkohë gjatë këtij viti, ritmi i ndërhyrjeve është rritur, sidomos në muajt qershor dhe korrik, atëherë kur në fakt presionet për zhvlerësim të mëtejshëm të euros, për shkak edhe të efekteve sezonale kanë qenë më të rritura. Megjithatë, euro po vijon të zbresë ditë pas dite. Në kursin më të fundit të ditës së sotme ka prekur një tjetër nivel të ulët historik prej 97.24 lekë.

 

Ecuria e kursit të këmbimit është një ndër variablat më të vështirë ekonomikë për tu parashikuar me një shkallë të kënaqshme saktësie. Për këtë arsye, si dhe nisur nga regjimi i zgjedhur i kursit të këmbimit në Shqipëri, Banka e Shqipërisë nuk jep parashikime të kursit të këmbimit, aq më tepër për të ardhmen e afërt. /ekofin.al(https://ekofin.al/banka-e-shqiperise-bleu-528-milione-euro-deri-ne-4-gusht-per-te-mbajtur-kursin-e-kembimit/)


Më të lexuarat